Kala

Kalaja e Kaninës

Kalaja e Kaninës ndodhet në fshatin e njëemërt, 3 km larg Gjirit të Vlorës, në një kodër 379 m mbi nivelin e detit. Kanina në periudhën antike themelohet si një qendër e fortifikuar bregdetare e bashkësisë fisnore të Amantëve, e cila luante një rol strategjik në kontrollin e Gjirit të Vlorës. Në antikitetin e vonë muret rrethuese rindërtohen, ndërsa gradualisht në mesjetë (Shek. IX-X) kthehet në qendër kishtare-administrative. Ajo ka qenë pjesë e zotërimeve Bizantine, Normane, Anzhuine e Serbe. Mbas sundimtarit të fundit me origjinë Serbe Ivan Komnen Asenit, Vlora dhe Kanina do të vendosen nën sundimin e zotërve shqiptar të Muzakajve, Balshajve dhe Aranitëve. Sundimtarja e fundit shqiptare Rugjina Balasha, mbasi nuk gjeti mbështetjen e Republikës së Venedikut, në vitin 1417 u detyrua ta lëshonte në duart e Osmanëve dhe së bashku me familjen e njerëzit e oborrit të gjente strehim në ishullin e Korfuzit. Gjatë sundimit Osman në kohën e Sulltan Sulejmanit, Gjegju Sinan Pasha, themeluesi i dinastisë së familjes Vlora u vendos në Vlorë dhe Kaninë. Pasardhësit e tij, të cilët qeverisën Sanxhakun e Beratit dhe Vlorës, ngritën rezidencën e tyre në Kalanë e Kaninës. Pinjolli i kësaj familje Ismail Qemali shpalli pavarësinë e shtetit Shqiptar dhe ngrit flamurin kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912. Muri rrethues i Kaninës ndjek relievin natyror të kodrës dhe rrethon një sipërfaqe 3.6 ha. Duke qenë një qendër e fortifikuar nga antikiteti në mesjetë, fortifikimi ka njohur disa faza ndërtimesh në përputhje me stilin dhe teknikën e ndërtimit të periudhave përkatëse nga shek. IV para Kr, në shek. V-VI mbas Kr e deri në shek XIII-XIV. Në fazën e fundit muri është pajisur me kulla që kanë trajta të ndryshme, si katërkëndore, poligonale, gjysmërrethore, trekëndore dhe kulla kontraforte. Në muret fortifikues të kalasë ka patur tri hyrje.

Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo

Kalaja e Porto Palermos është ndërtuar mbi një rrip toke në qendër të gjirit të Palermos, gji i përmendur që në periudhën antike me emrin ‘’Panormus’’, liman i madh në mesin e maleve Keraune (Malet e Vetëtimës). Në fundin e shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX, Ali Pasha mbasi nënshtroi gjithë bregdetin Jon, nga Butrinti deri në Vlorë, për kontrollin dhe fortifikimin e pikave strategjike të vijës bregdetare u kujdes të ndërtonte disa kështjella, një prej të cilave ishte dhe kështjella në Porto-Palermo. Udhëtarët e fillimit të shekullit të XIX, konsulli francez François Pouqueville dhe koloneli anglez William Martin Leake, dëshmojnë se në këtë kështjellë ishte vendos një garnizon ushtarak. Përshkrimet më të detajuara rreth saj dhe gjirit në fjalë i gjejmë pikërisht tek konsulli francez, i cili shkruan se: Gjiu ose porti i Palermos ka një dalje rreth çerek milje midis pikave shkëmbore, ku deti përplaset furishëm. Kështjella ndodhet në pikën jugore të hyrjes dhe lidhet me kontinentin me një rryp të ulët dhe të ngushtë. Ajo përbëhet nga një shesh me disa pozicione të fortifikuara, me ca topa, në afërsi ka ca magazina, një shtëpi që shërben si doganë dhe një kishë. Kisha e Shën Kollit, që përmendet nga Pouqueville, ruhet ende dhe ashtu si kështjella është shpallur monument kulture. Mbi hyrjen e kështjellës ka patur një pllakat, ku në stilin e një poeme epike dëshmohej se ajo u ndërtua prej Ali Pashës. Kështjella ka formën e një trekëndëshi me tre bastione të mprehta në qoshe dhe një oborr që hapet nga ana perëndimore.