Qendra Historike



Qendra Historike e Himares
Qendra Historike e Himarës ngrihet mbi një kodër 240 m të lartë. Nga verilindja dhe perëndimi gremina shërben si mbrojtje natyrore. Vendbanimi antik dhe mesjetar është ngritur mbi një vendbanim të periudhës së bronzit të vonë. Në periudhën prehistorike antike e mesjetare vendbanimi ka qenë i fortifikiuar dhe njihet ndryshe edhe si Kalaja e Himarës. Në antikitet Himara ishte qendra më skajore në veriperëndim të kaonisë, në malet Akrokeraune. Ajo përmendet në burimet antike në kapërcyellin e shek. I, nga autori romak Plini: “Në bregdetin e Epirit, mbi malet e Akrokeraunit, ndodhet kështjella e Himerës. Nën të burimi i ujit mbretëror”. Në shek. VI, përmendet nga Prokopi i Çezaresë, i cili e rendit ndër kështjellat e rifortifikuara nga Perandori Justinian. Mbas gati tre shekujsh heshtje, në diplomën e lëshuar në vitin 1020 nga perandori i Bizantit Vasili II, Himara figuron si peshkopatë në juridiksionin e Patriarkanës së Ohrit . Ajo është gjithashtu kryeqendra e krahinës me të njëjtin emër përgjatë gjithë mesjetës. Himara luajti një rol të rëndësishëm kryesisht gjatë periudhës së pushtimit otoman, të cilit i rezistoi me sukses për pesë shekuj deri në themelimin e shtetit shqiptar, duke ruajtur autonominë e saj. Ndër dhjetra beteja kundër inkursioneve osmane, vlen të përmenden tre më të rëndësishmet. Në vitin 1481 kalaja çlirohet nga kryengritësit himariot në bashkëpunim me Gjon Kastriotin, të birin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Një tjetër përballje e rëndësishme është ajo kundër Sulltan Bajazitit II në vitin 1492, ku himariotët luftuan me heroizëm dhe megjithë humbjet e shumta në njerëz, rezistuan duke fituar të drejtën e vetëqeverisjes, në formën e një autonomie lokale të quajtur “Venomet”. Në vitin 1537 përballuan me sukses ekspeditën e Sulltan Sulejmanit, duke konfirmuar dhe një herë venomet e tyre. Për këtë betejë tradita e banorëve, por dhe burimet historike ruajnë të gjallë heroizmin e himariotit Damjan, i cili pasi depërtoi në kampin e ushtrisë osmane tentoi të hynte në çadrën e Sulltanit për ta vrarë atë, por u kap nga rojet e Sulltanit. Tentative e tij dështoi, duke gjetur një fat tragjik.