Parqe Arkeologjike

Parku Arkeologjik i Amantias

Rrënojat e qytetit antik të Amantias gjenden në kreshtën dhe rrethinat e kodrës, ku ndodhet fshati Ploçë. Lartësia maksimale e kodrës arrin 613 m mbi nivelin e detit. Ky qytet përmendet për herë të parë në burimet antike, në mesin e shek. IV p.Kr. Amantët janë të ftuar nga teorët e Delfit për të marrë pjesë në garat delfike prej vitit 220-189 p.Kr, krahas qendrave të tjera të rëndësishme të Ilirisë së Jugut dhe Epirit. Qyteti përjeton një lulëzim ekonomik dhe kulturor gjatë shek. III p.Kr, dhe duke filluar nga viti 230 p.Kr, pret monedhën e tij. Gjatë sundimit romak, në kohën e luftrave civile midis Cezarit dhe Pompeut, Amantët mbështesin Cezarin. Ajo përmendet në antikitetin e vonë si qendër e një peshkopate dhe nga kjo periudhë ruhen rrënojat e një bazilike paleokristjane. Amantia gjendet në listën e qendrave të rifortifikuara nga perandori i Bizantin Justiniani I (527-565).

Organizimi politiko-administrativ i saj është i ngjashëm me atë të qyteteve koloniale të Apolonisë dhe Epidamn-Dyrrakionit. Magjistrati kryesor ishte Prytani, ekzistonte gjithashtu një këshill i qytetit apo Bule dhe një sekretar këshilli. Qyteti kishte gjithashtu një agonotet, që kujdesej për organizimin e lojrave sportive. Amantia ishte gjithashtu qendra administrative e bashkësisë së amantëve që shtrihej midis lumenjve Vjosë dhe Shushicë, ku bëjnë pjesë qendra të fortifikuar si Kanina, Triporti, Cerja, Armeni, Matohasanaj, Hadëraj dhe Olympe në Mavrovë. Monumentet më të rëndësishme që mund të vizitohen janë muri fortifikues, porta me qemer, stadium antik, tempulli i Afërditës, bazilika paleokristjane dhe varret monumentale në nekropolin verilindor. Gërmimet e para arkeologjike në këtë qytet antik kanë nisur në vitet 1950 nga arkeologët Hasan Ceka dhe Skënder Anamali.

Parku Arkeologjik i Finiqit

Foinike ka luajtur një rol strategjik në pikpamjen adminstrativo-politike në rajonin e Epirit, falë pozicionit gjeografik dhe zhvillimit ekonomik. Fillimisht si kryeqëndër e Kaonëve dhe më pas si kryeqyteti i Koinonit Epirot (168 para Kr). Polibi është një ndër autorët e lashtë, që dëshmojnë për pasurinë dhe vlerat e mёdha të këtij qyteti në periudhën antike. Ai e cilësonte Foiniken si qytetin më të lulëzuar dhe me muret fortifikuese më të fuqishёm në të gjithë Epirin. Kjo vërtetohet fare mirë edhe nga zbulimet arkeologjike, të cilat kanë nxjerrë në pah sistemin fortifikues, organizimin urbanistik me sistem tarracimesh, ku inkuadrohet agoraja e qytetit, rezidencat private etj. Një ndër monumentet më të rëndësishëm të kësaj periudhe është dhe bazilika paleokristiane me tre nefe dhe nje atrium në pjesën e përparme (shek. V-VI mbas Kr). Në këtë mozaik monumentesh shtohen dhe nekropolet e pasura të qytetit, që shtrihen në pjesën fushore poshtë kodrës në korrespondencë me rrugët hyrëse të qytetit.

Gërmimet arkeologjike të nisura prej Lugi Maria Ugolinit në vitet 1926-27, si dhe gërmimet e Dhimosten Budinës, Astrit Nanaj, Dhimitër Çondit në fillimet e viteve 1980 dhe 1990, të rinisura  në vitin 2000 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-italian (Instituti i Arkeologjisë dhe Univeriteti i Bolonjës) nën drejtimin e Prof. Shpresa Gjongecaj dhe Prof. Sandro De Maria, kanë nxjerrë në sipërfaqe një sërë monumentesh, ndër të cilët janë në gjendje të vizitueshme: Teatri, Banesa me dy Peristile, Muri Fortifikues, Stera A, Stoa dhe Bazilika Paleokristjane.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.

Parku Arkeologjik i Orikumit

Orikumi është një nga sitet më të rëndësishëm të bregdetit Adriatik, si nga pikëpamja historike, arkeologjike ashtu dhe nga ajo natyrore. Sipas të dhënave arkeologjike qyteti antik i Orikut themelohet në mesin e shek. VI p. Kr, ndërsa në burimet historike përmendet që në shek. V p.Kr nga Herodoti dhe Hekateu i Miletit, si një nga limanet më të mbrojtur dhe më të rëndësishëm të Epirit. Në shek. III p.Kr, Oriku merr fizionominë e plotë të një qendre urbane. Pjesa më e madhe e infrastruktës së brendshme, duke përfshirë shkallaret, bazamentet e ndërtesave, kanalet dhe cisternat për depozitimin e ujit ndërtohet në shkëmbin natyral të kodrës. Në këtë periudhë ndërtohen dhe monumentet publike. Në burimet historike është një qytet i përmendur për rëndësinë e tij në betejat midis Maqedonisë dhe Romës në fund të shek. III p. Kr, si dhe në luftën civile midis Çezarit dhe Pompeut në vitin 48 p.Kr. Çezari në kujtimet e tij për Luftën Civile e përshkruan Orikun, si një qytet të fortifikuar mirë, me mure të forta dhe disa hyrje të pajisura me kulla. Qyteti rindërtohet dhe rifortifikohet në antikitetin e vonë, ndërsa rezultatet e gërmimeve arkeologjike tregojnë se jeta vijon edhe në shekujt e mëvonshëm. Emri i tij mesjetar, Ericho, i përmendur nga historjania bizantine Ana Komnena në shek. XI, reflekton origjinën e emrit të vjetër, ndërkohë që kodra ku u ndërtua qyteti njihet sot si Paleokastër. Rrënojat arkeologjike në Orikum kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj që në fillimin e shekullit të XX, por gërmimet e mirëfillta arkeologjike filluan në vitin 1958 nga një ekspeditë shqiptaro-sovjetike e drejtuar nga Dh. Budina dhe N. Kabilina. Këto gërmime përfshinë një sipërfaqe prej 400 m2 dhe zbuluan një monument në formë eksedre të cilin e interpretuan si teatër dhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb që përbëjnë dhe elementin kryesor për të kuptuar organizimin urbanistik. Mbas një ndërprerje prej disa dekadash, gërmimet do të rifillonin sërisht në vitin 2007 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-zviceran i Institutit të Arkeologjik së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës. Nga puna tashmë dhjetëvjeçare e këtij projekti, u zbuluan një sërë monumentesh të reja, si dhe u përftuan të dhëna të reja mbi historinë dhe kronologjinë e sitit. Nga gërmimet është zbuluar një teatër antik, pjesë të ndryshme të fortifikimit, një ndërtesë e tipit monopter, një kishë mesjetare dhe disa banesa.