Monumentet e Kulturës
Manastiri i 40 Shenjtorëve
Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve nga, i cili morri emrin qyteti i Sarandës, ndodhet në lindje të qytetit, në pjesën e sipërme të kodrës së Gjashtës dhe konsiderohet si një nga monumentet me arkitekturën më unikale. Arkeologu italian Luigi Maria Ugolini, i cili e ka studiuar atë në mesin e viteve 1920, shprehet se kisha ishte ndoshta një prej më të mirave, në mos deri edhe më e bukura, që kishte parë në Shqipëri. Bazilika është ndërtuar që në Antikitetin e Vonë, si qendër peligrinazhi kushtuar kultit të 40 shenjtorëve, për besimtarët e krishterë nga vende të ndryshme të Ballaknit dhe brigjeve të Adriatikut. Ajo shërbeu si manastir dhe ka patur ambiente të tjera ndihmëse për pritjen e pelegrinëve. Kisha vetë vijoi të përdorej deri në mesin e shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish. Pas kësaj kohe ajo nisi të braktisej grdualisht dhe filloi të rrënohet. Muret u dëmtuan gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe tani kisha dhe ambientet ndihmëse përreth janë tërrësisht të rrënuara.
Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam
Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam është ndërtuar pranë rrënojave të qytetit antik të Finiqit, në një kodër piktoreske, mes dy lumenjve, lumit Bistricë dhe lumit Kalasë. Ndoshta në këtë vend në antikitet ka qenë një tempull, siç sugjerojnë mjaft spolia dhe element arkitektonik që gjenden në terren. Manastiri është përmendur për herë të parë në një akt për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje mes Patrikanës së Kostandinopojës dhe Dioqezës së Himarës, datuar në vitet 1220-1230. Rreth datimit të ndërtimit të kishës së Shën Kollit ka mendime të ndryshme nga studiues të ndryshëm që janë marrë me këtë temë, por akti kishtar i lartpërmendur si dhe një mbishkrim që me shumë mundësi e ka prejardhjen nga altari i kishës, mbasi është me karakter liturgjik e datojnë kishën e shën Kollit në fillim të shek. XIII. Ambjentet e manastirit dhe kishës janë përshtatur brenda një fortifikimi bizantin të shek. X, i pajisur me një numër të madh kullash, pak prej të cilave ruhen në gjendje të mirë.